logo



Arianit Xhaferi

Në një lëvizje qytetare në Maqedoni, banorët e Tetovës u organizuan rreth problemeve ekologjike me të cilat ballafaqohen, për të trajtuar shqetësimet e tyre në mënyrë të përbashkët. E quajtur “Eco Guerilla”, kjo lëzvije morri shumë shpejt përmasa kombëtare duke e marrë guximin, si pashoq në historinë e këtij shteti, t’i vë kushte dhe kërkesa të qarta autoriteteve komunale dhe qendrore.
Në intervistë me Arianit Xhaferin, Kryetar i kësaj organizate, u munduam të mësojmë më shumë për problemet ekologjike në Tetovë dhe rrethinë dhe, poashtu, për shkaqet që e shtynë atë të angazhohet.

Z. Xhaferi, për çfarë angazhohet organizata Eco Guerilla dhe çfarë janë objektivat e saja ?
Eco Guerilla është një lëvizje qytetare e cila lindi nga nevoja për të adresuar çështjen e ajrit të ndotur në fushën e Pollogut, kryesisht në Tetovë por edhe në Gostivar. Vepron si GRUPIM I PRESIONIT POLITIK dhe vepron në tre sektorë kryesorë :
1. Mbrojtja e mjedisit,
2. Funksionimi i shtetit ligjor, dhe
3. Të drejtat e njerëzve
Që të trija këto sektorë ndërlidhen me njëra tjetrën në një ose më shumë pika sepse ajri, toka dhe uji i pastër janë të drejta elementare dhe nuk janë luks, siç zakonisht pretendohet të tregohet ekologjia nga politikanë të papërgjegjshëm ballkanikë, dhe pikërisht ky lloj i politikanëve, ka sjellë një devalvim të vlerave demokratike dhe ka shkatërruar shtetin ligjor, sidomos në Maqedoni.
Eco Guerilla angazhohet që politika të zbatojë ligjet dhe kushtetutën të cilat qartë garantojnë mjedis të pastër jetësor dhe sanksionimin e ndotësve të shumtë në vend. As njëra e as tjetra nuk ndodhin tani për tani në Maqedoni.

Eco GuerillaSi e shihni gjendjen ekologjike dhe të mjedisit në Maqedoni dhe në vendet tjera ballkanike ?
Përshtypja e përgjithshme është që jo vetëm Maqedonia, por dhe vendet e rajonit (Kosova, Serbia, Shqipëria, Mali i Zi, Bosnja, etj.) udhëhiqen nga garnitura të ngjashme politike të cilat “ia shesin” qytetarit mjedisin e pastër si luks, duke pretenduar se ekonomia duhet të jetë mbi ekologjinë, duke mos pranuar faktin që e drejta për mjedis të pastër është e drejtë elementare humane, dhe se ekologjia dhe ekonomia duhet të shkojnë krahë për krahë me njëra tjetrën, të ndihmojnë në zhvillimin dhe avansimin e njëra-tjetrës. Fakti që asnjëra nga shtetet e rajonit nuk po punon me gjithë kapacitetin për të sjellë ndryshime në këtë sektor tregon qartë se, në këto vende, politikanëve ju mungon vetëdija qytetare për mbrojtjen e mjedisit, ose, në rastin më të keq të mundshëm, janë aq të painteresuar për këtë temë saqë lejojnë shkatërrimin e ajrit, ujit dhe tokës ku dhe vet ata me familjet e tyre jetojnë. Mbrojtja e mjedisit është sfida kryesore e shekullit 21, dhe, në vendet ballkanike, të vetmet elemente që shqetësohen për këtë janë organizatat e shoqërisë civile.

Sa është e pranishme vetëdija tek qytetarët për kujdesin ndaj mjedisit ?
Për fat të keq shumica e qytetarëve nuk arrijnë të kuptojnë rolin që gjithësecili prej nesh ka në mbrojtjen dhe kujdesin ndaj mjedisit, dhe mungesa e një edukate të tillë po i kushton shumë rajonit. Në Maqedoni, dhe sidomos në Tetovë, janë shënuar hapa pozitivë në këtë drejtim, dhe Eco Guerilla mund të mburret me rezultatet e arritura në këtë drejtim, kur dihet botërisht se në fund të vitit 2013, kur kjo organizatë nisi veprimin, shumica e qytetarëve nuk e kishin idenë se çfarë është ndotja, cilët janë faktorët e ndotjes, kush janë shkaktarët e kush janë fajtorët. Për të qenë ironia dhe më e madhe, një shumicë dërmuese keqkuptonin ndotjen për mjegulla. Tre vite më pas, ndotja është temë dite në qytet, çdokush i di faktorët, shkaktarët dhe fajtorët. Arsyeja pse nuk po zgjidhen problemet ka të bëjë me fajtorët e ndotjes – politikanët – të cilët, siç përmenda dhe më sipër, nuk kanë vetëdijë të mjaftueshme për mjedisin.

Sa punë bëjnë qeveritë dhe sa investime kryhen për ta ruajtur mjedisin ? A ka qeveria një plan për mjedisin dhe ruajtjen e tij ?
Qeveria e Maqedonisë ka bërë një HIÇ TË MADH në këtë drejtim. Në Tetovë funksionon një fabrikë e prodhimit të ferrolegurave (metalurgji e rëndë) e njohur si Jugohrom Ferroalloys e cila gjatë procesit të prodhimit përdor sasi të mëdha të qymyrit me cilësi shumë të ulët, dhe si rezultat i mungesës së filtrave ekologjikë, në ajrin që thithin tetovarët, kjo fabrikë lëshon 30 tonë pluhur në ditë. Tetova është kampion vendor, shpeshherë kapim majat e Evropës, por dhe të botës, sa i përket pranisë së grimcave PM10 në ajër, të cilat tejkalojnë masën e lejuar edhe me 20 herë. Këto grimca janë identifikuar si kancerogjenë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Qeveria e Maqedonisë i ka dhënë këtij ndotësi afate të njëpasnjëshme për vendosjen e filtrave edhe pse gjatë raportimit të progresit nga ana e subjektit në fjalë është parë se nuk ka seriozitet në procesin e filtrimit. Sa për ilustrim, për momentin po shkojmë drejt afatit më të fundit për realizimin e planit operativ për vendosjen e filtrave, që skadon me 31 Tetor 2016, ndërkohë që fabrika Jugohrom akoma nuk ka përfunduar pjesën e parë të planit operativ, i cili do duhej të ishte përmbyllur para 4 viteve. Qeveria (thotë se) ka plane për mbrojtjen dhe avansimin e mjedisit, por një gjë të tillë nuk po e implementon në terren.

Në çfarë vështirësishë keni hasur gjatë aktiviteteve tuaja dhe a jeni penguar në ushtrimin e të drejtave tuaja qytetare ?
Eco Guerilla si organizatë e re në këtë fushë veprimi është përballur me shumë vështirësi, duke u nisur nga mungesa e mjeteve financiare për të organizuar sa më shumë aktivitete për informimin më të shpejtë e më të gjerë publik, të cilin eventualisht e kemi realizuar me ndihmën e portaleve dhe mediave të shumta edhe shqipe edhe maqedonase. Vështirësi të tjera kanë qenë orvatjet tona për të bindur qytetarët se ndotja është reale, se nuk jemi organizatë që i shërbejmë ndonjë partie, se Jugohromi dhe ndotësit e tjerë duhet të vihen nën kontroll, se gjithçka varet nga reagimi i tyre. Forma të ndryshme të presionit janë ushtruar ndaj nesh, duke nisur nga joshja, tendenca për të na blerë e për të na heshtur, deri tek kërcënimet e ndryshme, por i kemi bërë ballë gjithçkaje, dhe kemi mbërritur ku jemi sot.

Kush janë faktorët dhe grupet e interesit më të mëdhej që sot e dëmtojnë mjedisin ?
Janë disa faktorë që kontribojnë në nivelin e ndotjes në Tetovë. Pozita gjeografike e Tetovës, qytet ky që ndodhet në Fushën e Pollogut, i rrethuar nga Mali Sharr dhe Mali i Thatë është një nga faktorët, por gjithashtu këtu ndikon dhe klima, shpejtësia dhe drejtimi i erës, presioni atmosferik, lagështia e ajrit, por dhe kaosi urbanistik, ndërtimet pa vend e pa kriter që bllokojnë qarkullimin normal të ajrit nëpër qytet.
Janë poashtu disa shkaktarë të ndotjes, duke nisur nga fabrika Jugohrom, fabrika të tjera më të vogla nëpër qytet që poashtu djegin materiale të ndryshme për ngrohje gjatë dimrit, deponitë e shumta nëpër qytet dhe rrethinë të cilat shpeshherë ndizen për të asgjësuar mbeturinat, mungesa e transportit publik dhe përdorimi i veturave të shumta, amvisëritë që kryesisht ngrohen me dru por dhe me derivate tjera, mungesa e hapësirave të gjelbërta, etj.
Më e rëndësishmja në këtë ekuacion, ajo me të cilën ne kryesisht po merremi, janë fajtorët e ndotjes, qeveria qendrore dhe Komuna e Tetovës, të cilët i lejojnë shkaktarët të ndotin, duke mos i detyruar të punojnë sipas ligjit, ose duke mos i ofruar qytetarit alternativë për të mos ndotur.

Shohim se sa herë që ka rreshje të forta shiu në Maqedoni, qytetet përmbyten në ujë. Madje dhe me pasoja tragjike, si në Tetovë vitin e kaluar dhe në Shkup sivjet. Ku qëndron problemi sipas jush ?
Shiu është dukuri natyrore, dhe këtë gjë e dinë të gjithë. Ajo që politikanët tanë mundohen t’ia imponojnë qytetarit është tendenca për ta treguar dhe përmbytjen si fenomen natyror, si “punë e Zotit”. Përmbytjet në vendet tona ndodhin kryesisht si rezultat i infrastrukturës tepër të dobët, ose mungesës së një infrastrukture adekuate. Mbi 80% e Shkupit nuk ka kanalizim atmosferik, por dhe ai që ekziston nuk mirëmbahet, prandaj çdo rreshje na dridh zemrat se çfarë mund të na ndodhë. Edhe Tetova ka probleme të ngjashme. Por, një nga problemet më të mëdha që shkaktojnë vërshime dhe rrëshqitje të tokës është dhe prerja e pyjeve, e cila assesi të ndalet në malet tona. Për këtë duhet një angazhim më i gjerë, jo vetëm i autoriteteve por edhe i banorëve të fshatrave malorë të cilët duhet të kuptojnë që prerja e pyjeve në rradhë të parë i dëmton ata, dhe famijet e tyre, siç ndodhi vitin e kaluar në Tetovë.

Në sjelljen e qytetarëve, poashtu të qeverive lokale dhe asaj qendrore, çfarë duhet të ndërrohet sipas mendimit tuaj ?
Qytetarët duhet të kuptojnë se nuk kemi planet rezerv dhe se duhet të vlerësojnë ofertat e partive që kërkojnë të zgjidhen edhe përmes angazhimit të tyre për mbrojtjen e mjedisit. Një vetëdije dhe një edukim më i lartë në mbrojtjen e mjedisit është shumë i rëndësishëm që të kemi një shoqëri të vetëdijësuar, e cila do përgatisë një terren që nuk do pranojë sharllatanë e profiterë të ulët të udhëheqin, qoftë qeverinë qendrore apo qeverinë lokale. Nga ana tjetër, qeveria qendrore duhet përfundimisht të ofrojë zgjidhje të menjëhershme dhe konkrete të shumë sfidave në mbrotjen e mjedisit, duke nisur me liberalizimin e menjëhershëm të tregut energjetik, i cili do ketë impakt të shumëfishtë : ndërprerjen e gërryerjes së tokës (minierave) për qymyr që përdoret nëpër termocentrale, uljen e nivelit të ndotjes nga termocentralet, ndërprerjen e eksploatimit dhe ndotjes së ujit të pijshëm të lumenjëve dhe përrenjëve nga hidrocentralet, subvencionimin e fermave solare dhe energjisë së erës me çka do vijë deri tek një çmim më konkurent i energjisë elektrike në vend dhe deri tek rënia e kërkesës për dru për ngrohje nga amvisëritë në përdorim të alternativave tjera, vënien nën kontroll të parkut vozitës në Maqedoni duke detyruar veturat që ndotin të aplikojnë masa mbrojtëse, investime më të mëdha në krijimin e hapësirave të gjelbërta nëpër zonat urbane, moratorium për të ndaluar prerjen e pyjeve, sidomos në vendet që janë më të rrezikuara nga vërshimet dhe rrëshqitjet e tokës, si dhe të detyrojnë ndotësit e shumtë të respektojnë ligjet dhe kushtetutën e vendit duke ju përshtatur kërkesave për të punuar sipas standardeve ekologjike që parasheh ligji.

Sa i rëndësishëm është roli i shtypit dhe i mediave në çështjet për mjedisin ?
Mediat kanë rol shumë të rëndësishëm në këtë drejtim, dhe mendoj që gjitha organizatat që kanë informacione që prekin gjithë qytetarët duhet të bashkëpunojnë me mediat për të shpërndarë në sa më shumë detaje ato informacione, për të nxitur reagimin e duhur, për të ushtruar presionin e nevojshëm mbi autoritetet e përgjumura ose të shitura. Media të shumta në Maqedoni (përjashto mediat qeveritare) kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në sensibilizimin e qytetarëve në lidhje me problemin e ndotjes së ajrit, pasojat që sjell, masat që duhen ndërmarrë për ta zgjidhur problemin, lojëtarët kyç të përfshirë në këtë “konflikt”, e kështu me rradhë.

Nga eksperienca juaj, çfarë është këshilla për organizatat tjera joqeveritare dhe porosia për qytetarët e vendeve tona ?
Këshilla për organizatat tjera joqeveritare është që të mbeten joqeveritare, që t’i shërbejnë komunitetit të tyre, dhe që të mos ndalojnë së investuari në zhvillimin dhe avansimin e aftësive të personelit të tyre. Është e rëndësishme që të gjitha organizatat që veprojnë në sektorin civil ta kuptojnë se janë aty për të mbushur një zbrazëtirë të cilën qeveria apo autoritetet lokale nuk e mbushin dot, dhe të mos heqin dorë nga gjërat të cilat janë të rëndësishme për komunitetin, sado të vështira që të jenë misionet e tilla. Qytetarët e vendeve tona duhet të edukohen në kuptimin e njohjes së të drejtave të tyre, si dhe të kenë njohuri mbi përgjegjësitë e politikanëve. Kërkimi i llogaridhënies është një nga atributet që duhet të ketë qytetari modern i vendeve tona, sidomos nga fakti që shumica e politikanëve që na udhëheqin (së paku deri tani) njihen si të korruptuar. Qytetari duhet të mos heqë dorë nga të drejtat e tij, dhe duhet të kërkojë nga drejtësia që politikanët e korruptuar të përballen me drejtësinë, të vuajnë dënimin për dëmet që i shkaktojnë vendeve dhe qytetarëve, si dhe të njëjtëve t’ju konfiskohet pasuria e fituar në mënyrë të dyshimtë, që t’ju shërbejë si mësim edhe politikanëve të rinj se korrupsioni ndëshkohet me termat më të ashpër të mundshëm.

Intervistë nga Florim Kadriu
Kontribues i lirë për Nation Bicéphale
Tetovë, shtator 2016

Description of authors

Leave a Reply

*

captcha *